Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë. Takimi u mbajt në Zyrën e BE-së në Kosovë, me ftesë të Shefit të kësaj zyre, ambasadorit Aivo Orav.
Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, rëndësinë e konstituimit të shpejtë të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe formimin e Qeverisë së re, si dhe për ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën dhe prioritetet e mandatit të ardhshëm qeverisës.
Sipas njoftimit Kurti ka theksuar se vendi është në pritje të certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe se menjëherë pas kësaj do të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ai eshte shprehur se mandati i ardhshëm do të fokusohet në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit. Sipas tij, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht për kompanitë prodhuese, do të jetë prioritet me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e kapaciteteve vendore.
Tutje Kurti ka theksuar gjithashtu se siguria dhe mbrojtja do të mbeten ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së re, gjithmonë në funksion të paqes dhe sigurisë.
Në fund të takimit, kryeministri ka falënderuar ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

