Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.
Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.
Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.
“Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.
Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.
“Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

