Die. Dhj 21st, 2025

“U keqtrajtuam”: Rrëfimi i ish-punëtorit të fabrikës kineze në Serbi

“Ajo që përjetuam në Serbi ishte punë me detyrim”, thotë Rafik Buks nga India.

Gjatë vitit 2024, ai punoi në ndërtimin e fabrikës kineze Linglong në veri të Serbisë.

“Ne ishim të kontrolluar, të shfrytëzuar dhe të trajtuar pa dinjitet”, shprehet Buks.

Ai shton se nuk është i befasuar nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për të bllokuar importin e gomave të automjeteve që prodhohen nga kjo fabrikë në Zrenjanin të Serbisë, për shkak të pretendimeve se ato janë prodhuar përmes punës me detyrim.

Nga Doganat amerikane më 18 dhjetor u tha se raportet tregojnë se punëtorëve, ndër të tjera, u janë mbajtur dokumentet personale dhe u janë mohuar pagat, si dhe se kanë qenë të ekspozuar ndaj kushteve abuzive të jetesës dhe punës.

As kompania Linglong dhe as institucionet në Serbi nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me pretendimet dhe vendimin e SHBA-së.

“Ajo që shqetëson më së shumti është dallimi në reagimet e institucioneve ndërkombëtare dhe atyre në Serbi ndaj këtij rasti”, thotë për REL-in Mirjana Mitiq nga organizata joqeveritare Astra, e cila merret me çështjen e trafikimit me qenie njerëzore.

Dyshimet për punë me detyrim në fabrikën kineze Linglong në Serbi u shfaqën disa vite më parë, kur për këtë paralajmëruan organizata vendore dhe ndërkombëtare.

REL-i ka raportuar disa herë për kushtet çnjerëzore të jetesës dhe punës të qindra punëtorëve vietnamezë gjatë viteve 2021 dhe 2022, ndërsa dy vjet më vonë pretendime të ngjashme u bënë lidhur me angazhimin e punëtorëve indianë në fabrikë.

Ndërsa autoritetet serbe dhe pronarët kinezë i hodhën poshtë akuzat, kallëzimet e organizatave joqeveritare drejtuar institucioneve kompetente kanë mbetur pa epilog deri më sot.

Pa përgjigje ka mbetur edhe kërkesa e Parlamentit Evropian, i cili në vitin 2021, përmes një rezolute, i kërkoi Serbisë të hetonte punën e mundshme me detyrim të rreth 400 punëtorëve vietnamezë në Linglong.

Pas pesë vjetësh ndërtimi, fabrika kineze e gomave të automjeteve u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2024.

Qeveria e Serbisë e ka shpallur këtë investim, në vlerë prej 800 milionë eurosh, si projekt me rëndësi kombëtare.

“Kemi duruar keqtrajtime”

Rafik Buks nga India me vështirësi i kujton muajt që i kaloi në Serbi.

“Ishim nën presion të vazhdueshëm, nën kërcënime, madje kishte edhe përleshje fizike. U detyruam të duronim keqtrajtime”, shprehet Buks në një përgjigje me shkrim për REL-in.

Ai thotë se agjencia për të cilën punonin i dërgonte jo vetëm në kantierin e ndërtimit të fabrikës, por edhe në vende të tjera ndërtimi të kompanive kineze në Serbi, “ndërkohë që Linglong më vonë pretendoi se ne kurrë nuk kemi punuar për ta”.

Ai tregon se në Serbi shkoi sepse i ishte premtuar “punë e ligjshme, pagë e mirë dhe kushte humane jetese”.

“Asnjë nga këto nuk ishte e vërtetë”, shprehet ai.

Rafiku Buks sot ndodhet në Indi.

“Tani jam shumë më i kujdesshëm dhe e verifikoj çdo ofertë pune jashtë vendit, sepse ajo që më ndodhi në Serbi më ka ndryshuar përgjithmonë”.

Rasti i punëtorëve indianë

Organizata joqeveritare Astra, në shkurt të vitit 2024, në emër të Buksit dhe edhe 10 punëtorëve nga India, dorëzoi pranë autoriteteve në Serbi kallëzim penal për dyshime për trafikim të njerëzve dhe shfrytëzim në punë në fabrikën Linglong në Zrenjanin.

“Ne kemi raportuar se njerëzit jetonin në kushte katastrofale, hanin nga dyshemeja, e për të mos flasim për pajisjet që përdornin”, thotë Mitiq nga Astra.

Punëtorët u kanë raportuar organizatave joqeveritare se u janë marrë pasaportat dhe se nuk u janë paguar pagat.

“Ata na kontaktuan. Morën një vendim të përbashkët që të mos largoheshin nga Serbia, pavarësisht presioneve nga kompania. Vendosën të japin dëshmi në prokurori, kështu që ne e dimë me siguri se provat dhe të dhënat në prokurori ekzistojnë”, thotë ajo.

Prokuroria e Lartë Publike në Zrenjanin, pas kallëzimit, i ka thënë REL-it se i ka paraqitur policisë kërkesë “për mbledhjen e informatave të nevojshme” lidhur me këtë rast, ndërsa policia ka konfirmuar se po vepron sipas kësaj kërkese.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen e REL-it se çfarë është konstatuar, ndërsa nga prokuroria kanë thënë se do të përgjigjen në afatin më të shkurtër.

Linglong në vitin 2024 i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se punëtorët indianë nuk kishin punuar në ndërtimin e fabrikës.

Mitiq kujton se punëtorët nga India në fund nga punëdhënësi kanë marrë “kompensim dhe pagat e papaguara”, si dhe u është paguar bileta e kthimit në shtëpi.

Rasti i punëtorëve vietnamezë

Disa vite më parë, në mbarë botën u shpërndanë pamje të kushteve çnjerëzore në të cilat ishin vendosur 400 punëtorë nga Vietnami brenda kompleksit të fabrikës kineze në Serbi.

Pas raporteve të organizatave joqeveritare për kushtet në kamp në vitin 2021, mediave iu ndalua qasja.

Kështu, as ekipit të REL-it nuk iu lejua të filmonte barakat, ndërsa disa nga punëtorët flisnin për kushte çnjerëzore dhe pohonin se për dy muaj nuk kishin marrë paga, si dhe se punëdhënësi ua kishte marrë pasaportat.

Linglong mohoi përgjegjësinë, duke deklaruar se punëtorët ishin angazhuar nga një prej nënkontraktorëve të tyre.

“Asnjëherë nuk kemi marrë informacion se çfarë ndodhi me këtë rast, përveç një njoftimi gojor nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit me Qenie Njerëzore se rasti ishte mbyllur dhe se nuk kishin arritur të komunikonin me punëtorët derisa ata ndodheshin në vend”, thotë Mitiq nga Astra.

Deri në publikimin e këtij teksti, REL-i nuk ka marrë përgjigje nga Qendra Shtetërore serbe për Mbrojtjen nga Trafikimi me Qenie Njerëzore, ndërsa punëtorët nga Vietnami, menjëherë pasi u zhvendosën në një objekt disi më të mirë, u larguan nga Serbia.

Si reaguan institucionet e Serbisë?

Përgjigje për pyetjet lidhur me pretendimet e reja për punë me detyrim dhe për vendimin e SHBA-së nuk kanë ardhur as nga ministritë kompetente, as nga inspektorati i punës që mbikëqyr kushtet e punës në Serbi.

As kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it.

Vuçiq, duke reaguar ndaj akuzave të mëhershme për shfrytëzimin e punëtorëve në fabrikën kineze, kishte thënë se bëhej fjalë për një fushatë mediatike dhe politike kundër Linglong-ut.

“Do të përpiqemi t’u ndihmojmë punëtorëve vietnamezë, por nuk do t’i dëboj investitorët”, kishte thënë atëbotë Vuçiq.

Çfarë po ndodh tani në Linglong?

Kompania nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me pretendimet e SHBA-së, as se si vendimi për ndalimin e mallrave nga fabrika e tyre në Serbi do të ndikojë në biznesin e tyre.

Nuk ka pasur përgjigje as për pyetjet se sa punëtorë të huaj janë aktualisht të angazhuar në fabrikë dhe në çfarë kushtesh jetojnë dhe punojnë.

As Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me numrin e lejeve të punës dhe qëndrimit për punëtorët e huaj në Zrenjanin.

Tara Rukeci, aktiviste e Forumit Social Lokal të Zrenjaninit, e cila u ka ofruar ndihmë punëtorëve të huaj në Linglong, thotë për REL-in se në fabrikë ende punon një numër i madh punëtorësh nga jashtë, por se numri i tyre i saktë nuk dihet.

“Në Linglong që nga fillimi, nga ndërtimi i fabrikës e tani edhe në prodhim, punojnë punëtorë kinezë në kushte më të këqija sesa punëtorët nga Serbia”, thotë Rukeci.

Ajo shton se për punë në fabrikë vazhdojnë të angazhohen punëtorë nga Azia, por jo drejtpërdrejt nga kompania Linglong, por përmes nënkontraktorëve.

“Më herët kishim agjenci të mëdha si ‘China Energy’, që sillnin qindra punëtorë. Tani ka filluar të lulëzojë një numër i madh agjencish të vogla”, thekson ajo.

Sipas të dhënave nga raporti financiar i Linglong-ut, të disponueshme në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve, gjatë vitit 2024 në fabrikë kanë punuar gati 1.750 punëtorë.

Raportet tregojnë gjithashtu se numri i punëtorëve gjatë vitit të kaluar është rritur për 48 për qind.

Të orientuar drejt eksportit

Fabrika kineze u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2024.

Ajo është ndërtuar në 100 hektarë tokë shtetërore të dhuruar, me 76 milionë euro subvencione.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në ceremoninë e hapjes në Zrenjanin, e quajti fabrikën një “mrekulli”.

“E krijuan miqtë tanë kinezë me mbështetjen tonë”, tha Vuçiq më 13 shtator të vitit të kaluar.

Sipas raporteve financiare të kompanisë, përfitimet totale nga shteti duket se janë edhe më të mëdha.

Nga një pjesë në raportin financiar që i referohet “subvencioneve kapitale dhe ndihmave të tjera shtetërore për ndërtimin dhe blerjen e mjeteve bazë dhe pasurisë jomateriale”, shihet se nga viti 2020 deri në vitin 2024 Linglong-ut i janë ndarë mbi 210 milionë euro.

Nga Linglong nuk janë përgjigjur se për çfarë kanë shërbyer këto subvencione.

Raportet publike financiare të Linglong-ut në Zrenjanin tregojnë se të ardhurat nga shitja e mallrave në tregjet e huaja gjatë vitit të kaluar janë rritur 500 herë.

Linglong në vitin 2024 ka eksportuar goma në vlerë prej 178 milionë eurosh.

Në raport nuk specifikohet se në cilat vende fabrika ka eksportuar më së shumti.

As Linglong nuk ka dhënë përgjigje se sa nga ky eksport ka shkuar në SHBA.

Se prodhimi në Zrenjanin është kryesisht i orientuar drejt eksportit tregon edhe fakti se të ardhurat nga shitja në tregun e Serbisë kanë qenë 9.5 milionë euro.

Projektet kineze në Serbi nën llupë

Rasti i punëtorëve në fabrikën e Zrenjaninit nuk është i pari në Serbi që ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për shkak të dyshimeve se punëtorët e punësuar nga punëdhënës kinezë punojnë dhe jetojnë në kushte çnjerëzore dhe janë viktima të shfrytëzimit në punë.

REL në janar të vitit 2021 raportoi për kushtet e papërshtatshme të akomodimit të punëtorëve kinezë në një kamp të përkohshëm pranë minierës “Çukaru Peki” në Bor, në lindje të Serbisë.

Disa punëtorë pretenduan se punëdhënësi nuk u lejonte të largoheshin nga kampi i papërshtatshëm ku ishin vendosur dhe se u ishte ndaluar kontakti me banorët lokalë.

Investimet kineze dhe projektet infrastrukturore në Serbi janë pjesë e nismës kineze “Brezi dhe Rruga”.

Bëhet fjalë për “Rrugën e re të Mëndafshit” të iniciuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, që ka për qëllim lidhjen e Kinës me Evropën dhe depërtimin në Perëndim.

Këto projekte janë nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian për shkak të shkeljeve të standardeve evropiane të transparencës dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për këtë kanë paralajmëruar vazhdimisht edhe raportet e Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë si vend kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *