Presidentja Vjosa Osmani tha se para se të nënshkruajë dekretin për shpërbërjen e Kuvendit ka tentuar që partitë parlamentare të mblidhen edhe njëherë në Kuvend për të miratuar disa nga çështjet që u propozuan dje në rendin e ditës.
“Para se ta nënshkruaj dekretin kam bërë përpjekjen e fundit që partitë parlamentare të kthehen sot gjatë ditës njëherë në Kuvend dhe të miratojnë së pari zgjatjet buxhetore, që pagat e qytetarëve dhe funksionimi i shtetit të mos bllokohet dhe të kemi buxhet bile deri në fund të marsit të vitit 2026”.
Osmani tha se ka propozuar edhe “pakon presidenciale” prej marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej 1 miliard euro dhe çështje tjera, përfshirë buxhetin e Prishtinës.
“Ka ekzistuar baza kushtetuese e qartë, që edhe pas dështimit të mandatarit të dytë të Kuvendit, Kuvendi të mblidhet dhe të marrë vendime”.
“Megjithatë, në mungesë të vullnetit politik që të merren këto vendime s’ka pasë zgjidhje tjetër që menjëherë ta nënshkruaj këtë dekret, pra Kuvendi tashmë është i shpërndarë”.
“Është për keqardhje që nuk u arrit një dakordim i tillë jo sepse marrëveshjet ishin të dobëta, jo pse ato ishin të domosdoshme, por thjesht sepse mungoi vullnet politik. Ishin plane të qarta që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve”.

