Më 14 tetor 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.
Ndërprerja ishte paralajmëruar pothuaj që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.
Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.
Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.
Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.
Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.
Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.
Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë në fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 mëngjesit u kthyen në Tiranë, transmeton Koha.net.
Zhvillimi i ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.
Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë se tri javë, pasi vëllai i tij akuzohej ta kishte lëshuar dronin.
Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.
Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:
Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të vitit 2015, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.
Kështu deri në prag të ndeshjes që u zhvillua më 8 tetor në Elbasan Arena ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, kur Ismail Morina u burgos me akuzë për armëmbajtje pa leje dhe me posedim të biletave të falsifikuara për këtë ndeshje.
Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0:2 dhe la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje u përzie politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Erevan.
Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni – Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, e shikoi nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ishte për herë të parë.

