Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, sot ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për vrasjen e 26-vjeçarit, Auron Thaçi, ku të akuzuar janë Enes Ay dhe Hajrullah Bercani.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmia e ekspertes së mjekësisë ligjore, Bergita Curri, e cila bëri raportin e autopsisë së trupit të të ndjerit.
Para gjykatës ajo tha se plaga vdekjeprurëse që shkaktoi vdekjen e Auron Thaçit është plaga në regjionin e përparmë të kërdhokullës apo kofshës së djathtë.
Ajo theksoi se gjakderdhja e shkaktuar nga kjo plagë ka çuar në vdekjen e tashmë të ndjerit, Auron Thaçi.
Krahas kësaj plage, ekspertja mjekoligjore, Bergita Curri, gjatë dëshmisë së saj tha se Auron Thaçi kishte edhe një plagë tjetër në shpinë, e cila nuk kishte depërtuar në asnjë strukturë përveç lëkurës dhe indit nënlëkuror.
“Nga gjetjet gjatë ekzaminimit të trupit në autopsi ku përveç dëmtimit në regjionin femoral të djathtë është evidentuar edhe një plagë shpuese në pjesë e sipërme të shpatullës së majtë. Nga ekzaminimi i organeve të brendshme dhe vitale nuk është gjetur asnjë shkaktar tjetër përveç gjakderdhjes dhe shokut hemoragjik… Plaga vdekjeprurëse ka qenë plaga në regjionin e përparmë të kërdhokullës apo kofshës së djathtë, ndërsa plaga e përshkuar në pikën dy tek ekzaminimi i jashtëm ka qenë tërësisht e parrezikshme”, tha ajo.
Avokati i familjarëve të viktimës, Esat Gutaj tha se ekspertizës është dashur t’i bashkëngjitej fotoalbumi, ndërsa kërkoi të dinte detaje për plagët që kishe marrë i ndjeri në natën kritike, detaje të cilat i paraqiti para trupit gjykues ekspertja mjekoligjore.
“Dëmtimi në pjesën e përparme të kofshës së djathtë është ndryshuar për shkak të intervenimit kirurgjik prandaj nuk kemi mundur të përshkruajmë karakteristikat e plagës por kemi përshkruar vetëm pasojat e saj në paragrafin dëshmi në trajtimin mjekësor ku është evidentuar prerja kirurgjike me gjatësi 18 cm e qepur me 14 penj kirurgjik të cilën qepja e kam hapur dhe është vërejtur gjakosje e indeve të buta, gaza të vendosura e të mbushura me gjak. Është bërë diseksioni special i shtresave anatomike për të identifikuar saktë strukturën e cila është dëmtuar dhe në këtë rast kemi evidentuar qepje në arterien femorale kryesore të djathtë… Plaga në shpinë ka qenë plagë shpuese me madhësi 0.5 here 0.5 cm dhe thellësi 0.2cm plaga nuk ka depërtuar në asnjë strukturë përveç lëkurës dhe indit nënlëkuror dhe në këtë rast mjeti i shkaktimit me besueshmëri të lartë është objekt i fortë me maje”, tha ajo.
E pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se me çfarë mjete iu kanë shkaktuar plagët tashmë të ndjerit, ekspertja mjekoligjore, Bergita Curri tha se plaga e dytë në shpinë mund të jetë shkaktuar nga ndonjë kaçavidë, por nuk e përjashtoi që edhe plaga vdekjeprurëse të jetë shkaktuar nga një mjet i ngjashëm.
“Në përshkrimin që e kam bërë për plagën e dytë qe ka qenë në shpinë dhe e cila nuk ka qenë e ndryshuar për shkak të qepjes ose intervenimit kirurgjik e para që mund më ra në mend prej mjeteve është ndonjë mjet i tipit të kaçavidës që është i rrumbullakët e ka maje dhe mund të shpohet. Por, për plagën vdekjeprurëse nuk e kam të pandryshuar kështu që nga shkresat se është përdorur mjet i mprehtë dhe nga kjo nuk mund të përjashtoj ekzistencën e dy mjeteve të ndryshme por as nuk mund ta përjashtojë se plaga ne regjionin femoral është shkaktuar nga një mjet i ngjashëm sikur kjo tjetra”, tha ajo.
Specialistja e Mjekësisë Ligjore mohoi mundësinë që vdekja e të ndjerit Auron Thaçi ka mund të ndodhë për shkak të neglizhencës së profesionistëve shëndetësorë.
“Në rastin konkret nuk janë gjetur elemente të neglizhencës mjekësore të cilat do të qonin në vdekjen e pacientit… Arsyeja pse ka ardhur tek vdekja është dinamika e cila është shkaktuar në organizmin e personit në fjalë, humbjes së gjakut, e që besoj ka qenë e konsiderueshme për shkak se edhe nëse ekipi mjekësor do të ishin pranë tij dhe të bënin intervenim kirurgjik brenda minutash megjithatë përllogaritet deri në 15% e vëllimit të përgjithshëm të gjakut do të humbte brenda 2-3 minutash. I ndjeri është gjetur në rrugë… nga e gjithë kjo qe thash unë supozoj që në momentin fillestar kur trupi është gjetur ai tashmë ka pas të humbur prej 15-40% të vëllimit të tij të gjakut. Çdo veprim që personeli mjekësor ka ndërmarrë ka qenë një tentativë për të shpëtuar pacientin por që fatkeqësisht ka rezultuar me vdekjen e tij për shkak se humbja e gjakut e ka iniciuar një cikël të ndryshimeve fiziologjike që ka pamundësuar rikthimin e funksionit të organeve vitale”, tha ajo.
Përveç dy të akuzuarve, Enes Ay dhe Hajrullah Brcanin, në seancën e sotme e pranishme ishte edhe nëna e të ndjerit, Esmarie Gashi e cila tha se sot mësoi që djali i saj kishte dy plagë në trup.
Ajo mes lotësh kërkon burg të përjetshëm për të akuzuarit që dyshohet se ja vranë djalin e saj.
“Dy herë që kanë që e kanë shpërthyer unë sot e mora vesh se ka qenë edhe në shpinë. Se ka qenë këtu një lojë e kanë fshehur dhe nuk e kanë shënuar as në polici. Para juve sot e mësova se çka ka ndodhur me djalin, çka kanë dashur me i bë djalit, pse ia kanë bërë atë. Unë besoj te gjykata, dhe ata ta marrin dënimin e duhur – burg të përjetshëm”, tha ajo.
Në fund të seancës së sotme mbrojtja e Hajrullah Brcanit kërkoi lirimin e klientit të tij nga masa e paraburgimit.
26-vjeçari Auron Thaqi humbi jetën pasi u godit me thikë nga një person, në qytetin e Prizrenit.
Dyshohet se pasi u ther me thikë, Auroni u hodh në rrugë nga një veturë në lëvizje.
Ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra, në korrik të vitit të kaluar.