Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ushtruar të drejtën e tij të votës, në qendrën e votimit në Pejë.
Pasi votoi i pari në qendrën e caktuar, duke shënuar hapjen e qendrave të votimit, Radoniqi bëri thirrje që ky proces të respektohet, shkruan IndeksOnline.
“Për këtë ditë, KQZ-ja ka qenë e angazhuar që nga shpallja e zgjedhjeve. Të gjitha përgatitjet deri më sot, gati kanë përfunduar. Tash fillon procesi zgjedhor dhe, pas kësaj dite, fillon numërimi në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit.
Meqenëse këtu filloi procesi zgjedhor, unë besoj se edhe në të gjitha qendrat në territorin e Kosovës ka filluar procesi në orën shtatë. Me këtë, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Me zgjedhjen e tyre, do të zgjedhën përfaqësuesit tanë për Kuvendin e Republikës së Kosovës” tha Radoniqi.

