Mër. Dhj 17th, 2025

Votim veç në objekte shtetërore, pas vendimit të Supremes, KQZ: Do të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e tij

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me hapësirat shtesë për votim jashtë përfaqësive diplomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në pyetjen se çfarë do të bëjë ky institucion pas vendimit të Gjykatës Supreme që ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së për organizimin e votimit jashtë përfaqësive diplomatike, më konkretisht në 10 Qendra Votimi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit konfirmohet vendimi i PZAP-it për çështjen e 10 Qendrave të Votimit të planifikuara nga KQZ që të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike sipas propozimit të MPJD-së. KQZ do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve”, tha Elezi.

Më 26 nëntor 2025, KQZ kishte marrë vendim për miratimin e 50 Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete për të mundësuar votimin e 63 mijë votuesve dhe 10 Qendra të Votimit në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të MPJD-së. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin për të votuar 41 mijë.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *