Analisti i njohur, Azem Vllasi, ka komentuar situatën aktuale politike në vend, tani që kanë mbetur pak ditë kohë deri në zgjedhjen e presidentit/es të vendit.
Në një prononcim për IndeksOnline, Vllasi ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjuca, po manipulojnë me partitë opozitare dhe familjen Jashari – për ta “eliminuar” Vjosa Osmanin.
“Kurti e Konjufca po manipulojnë me familjen Jashari, e edhe me PDK-në e LDK-në vetëm për ta eliminuar Vjosa Osmanin, që është kandidatja më serioze për presidente. Familja Jashari u tregua dinjitoze dhe nuk lejon të manipulohet në këto kombinime jodinjitoze” deklaroi Vllasi.
Tutje, ai vlerëson se qëndrimi i PDK-së dhe LDK-së, duke mos propozuar një kandidat për president, dëshmon se këtp dy parti nuk janë kundër Osmanit. Sipas tij, LVV-ja i ka votat për të zgjedhur presidentin e Republikës.
“PDK-ja dhe LDK-ja nuk u deklaruan se kanë kandidat. Kjo nënkupton që ata nuk janë kundër Vjosës. Tash manipulojnë me emrin e Arsim Bajramit, i cili që moti është larguar nga politika dhe nuk mund të jetë konkurrent i Vjosës. Nuk është e vërtetë se LVV-ja nuk i ka votat. Nuk besoj që deputetët e opozitës rrezikojnë që, me mungesën nga salla e Kuvendit, që duhet të jenë 80, të rrezikojnë shkuarje në zgjedhje të reja” shtoi Vllasi.
Në gjykimin e tij, opozita nuk ka përse të mos e votojë Osmanin, pasi zgjedhjet e reja mund t’i nxjerrin në humbje.
“Në rast të tillë – ata që bëhen shkak për zgjedhje të reja, në ato zgjedhje do të jenë humbës katastrofal. Prandaj deputetët e opozitës nuk kanë pse mos t’a votojnë Vjosën. E nëse nuk votojnë, atëhere në votimin e dytë nevojitet shumica e thjeshtë. Pra, VV-ja i ka votat” tha Vllasi.
Çka opozita duhet bërë, sipas tij, është që të kuptojë manipulimin që LVV-ja po bën.
“PDK-ja dhe LDK-ja duhet të kuptojnë, sikur që e ka kuptuar familja Jashari, se Kurti e Konjufca po manipulojnë me ta. Dalja më e mirë nga kjo situatë do të ishte nëse PDK dhe LDK e përkrahin Vjosa Osmanin.”
Në mesin e votimit të Osmanit për një mandat të dytë në Presidencë, Vllasi vlerëson se presidentja ka kontribuar më së shumti në ruajtjen dhe forcimin e raporteve me SHBA-në.
“Përveç tjerash, lidhur me përpjekjet për eliminimin e Vjosës, shtrohet edhe një pyetje: Kush është i interesuar për ftohjen e raporteve me SHBA-në, kur po shihet se Vjosa më së shumti ka kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e këtyre raporteve?! Xhelozia dhe ambicia për të dominuar vet në pushtet dhe në politikë është veti e dëmshme për shtetin. Kurti duhet ta dijë këtë” përfundoi Vllasi
