Ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel, ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke paralajmëruar se ai mund të shfrytëzohet politikisht nga Serbia dhe Rusia kundër Kosovës.
Në një intervistë për DW, Deimel ka folur për pasojat që mund të ketë ky vendim për Kosovën, duke theksuar se Beogradi dhe Moska mund ta përdorin atë për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e shtetit të Kosovës.
“Po, Moska dhe Beogradi pa dyshim do ta shfrytëzojnë gjerësisht këtë vendim për të vënë në pikëpyetje dhe për të minuar më tej legjitimitetin e Kosovës si shtet. Megjithatë, duhet theksuar edhe një fakt tjetër i rëndësishëm: Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër-arrest ndaj Vladimir Putinit për krime lufte. Kjo tregon se përgjegjësia penale ndërkombëtare nuk lidhet me përkatësinë kombëtare apo politike, por me veprat konkrete për të cilat ngrihen akuza”, ka thënë ajo.

