Ushtria e Libanit thotë se trupat e saj po vendosen në një “zonë pilot” në jug të vendit pas tërheqjes së forcave izraelite sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të të arritur muajin e kaluar.
Njësitë e inxhinierisë hynë në fshatin Zawtar al-Gharbiyeh në distriktin Nabatieh të martën në mëngjes, njoftoi komanda e ushtrisë, ka raportuar BBC.
Më vonë, ajo tha se forcat izraelite kishin hapur zjarr në afërsi të trupave. Ushtria izraelite tha se të shtëna paralajmëruese ishin qëlluar pasi trupat kaluan në “zonën e sigurisë” të shpallur nga Izraeli.
Plani i zonës pilot duhet të shohë trupat izraelite të tërhiqen nga një pjesë e vogël e territorit të pushtuar gjatë konfliktit të tyre me Hezbollahun dhe çarmatimin e grupit libanez të mbështetur nga Irani.
Vendosja e së martës filloi përpara një takimi në Uashington midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij libanez, Joseph Aoun.
Aoun pritej të nxiste Trump të ushtronte presion mbi Izraelin që të tërhiqej nga pjesa tjetër e Libanit jugor dhe të mbështeste ushtrinë libaneze në marrjen e kontrollit të plotë të zonave ku Hezbollahu ka ndikim.
“I thashë atij [Trump] se kam nevojë për dy gjëra nga ju: mbështetje politike dhe mbështetje për LAF [Forcat e Armatosura Libaneze],” u tha Aoun gazetarëve në Zyrën Ovale.
Duke folur përkrah Aoun, Trump u zotua se SHBA-të do t’i ofrojnë ndihmë Libanit, i cili ishte “goditur rëndë” për dekada të tëra.

