Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar programin e vizave amerikane për lotarinë e “Green card”-eve pas një sulmi me armë në universitetin “Brown” javën e kaluar, ku u vranë dy persona.
I dyshuari, një shtetas portugez i cili u gjet i vdekur të enjten, kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave për diversitet (DV1) në vitin 2017 dhe ishte pajisur me “Green card”, shkruan BBC-si.
Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, tha se ka pezulluar këtë program nën udhëzimin e Trumpit për të “siguruar që të mos dëmtohen më amerikanë nga ky program katastrofik”.
Zyrtarët amerikanë besojnë se i dyshuari, 48-vjeçari Claudio Neves Valente, gjithashtu vrau këtë javë profesorin portugez të Massachusetts Institute of Technology (MIT), Nuno Loureiro.
Programi i lotarisë ofron deri në 50,000 viza çdo vit përmes një procesi të përzgjedhjes së rastësishme për vendet me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, shkruan BBC-si.
Noem shkroi në rrjetet sociale se Trump kishte luftuar më parë për të ndalur këtë program në vitin 2017, pas një sulmi me kamion në New York ku u vranë tetë persona. Sipas saj, autorë të sulmeve të mëparshme, si Sayfullo Saipov nga Uzbekistani, i mbështetës i Shtetit Islamik, kishin hyrë në SHBA përmes këtij programi.
Komentet e saj vijnë disa orë pasi Neves Valente u gjet i vdekur në një depo në Salem, New Hampshire, nga një plagë vetë-shkaktuar me armë zjarri, sipas policisë.
Policia tha se video dhe informacione nga publiku çuan hetuesit tek një agjenci qiraje makinash, ku u gjet emri i të dyshuarit dhe u konfirmua identiteti i tij pas një gjurmimi 6-ditor ndër-shtetëror. Ai u gjet i vdekur me një çantë dhe dy armë zjarri, ndërsa prova në një makinë pranë vendit të ngjarjes përputhej me vendin e krimit në Brown University, sipas prokurorit të Rhode Island, Peter Neronha.
Presidentja e Brown, Christina Paxson, tha se Neves Valente kishte qenë student në këtë universitet nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e vitit 2001, duke studiuar për doktoraturë në fizikë, dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje aktive me universitetin.
Zyrtarët besojnë se Neves Valente vrau profesorin e MIT, Nuno F Gomes Loureiro, 47 vjeç, në shtëpinë e tij në Brookline të hënën, rreth 80 km nga Providence. Të dytë kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990-të.
Rasti u lidh pasi makina e të dyshuarit u identifikua nga kamerat CCTV dhe një dëshmitar në Brown University, dhe e njëjta makinë u pa pranë vendit të vrasjes së profesorit, vetëm dy ditë më vonë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një motiv të dyshuar për sulmet.
Dy studentë u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën kur sulmuesi hyri në ndërtesën e inxhinierisë së Brown, më 13 dhjetor gjatë provimeve përfundimtare. Viktimat janë identifikuar si Ella Cook, 19 vjeçe nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, nga Uzbekistani.

