Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në proceset e vendimmarrjes dhe zhvillimit të qytetit, duke e cilësuar këtë si formulën e suksesit për të ardhmen e Prizrenit.
“Puna jonë gjithëpërfshirëse në Prizren do të shpërblehet me besim dhe votë. Duke e pasë parasysh faktin se ne e kemi një qasje gjithëpërfshirëse, do të kemi mundësi të krijojmë standarde, të ndërtojmë një sistem të vlerave, të kemi më shumë ide, më shumë resurse humane, kapacitete, energji dhe vizion,” ka theksuar Totaj.
Sipas tij, ky kombinim i faktorëve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e procesit të vendimmarrjes.
“Krejt ky input pastaj ndikon në mënyrë kualitative, me një proces të vendimmarrjes më të mirë,” ka shtuar ai.
Totaj ka nënvizuar se përveç aspektit të cilësisë, Prizreni mbetet shembull i përfshirjes dhe respektimit të diversitetit. “E kemi edhe aspektin gjithëpërfshirës si një qytet me diversitet, si një qytet që nuk e lë anash asnjë komunitet, sado i vogël qoftë ai,” ka theksuar kryetari.
Në përmbyllje, ai ka deklaruar se kjo qasje është baza mbi të cilën ndërtohet jo vetëm fitorja elektorale, por edhe një qeverisje më e mirë.
“Prandaj, kjo formulë është një formulë e suksesit, e cila do të na mundësojë jo veç fitoren, por edhe qeverisjen më të mirë,” ka përfunduar Totaj.

