Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona në Kaçanik për vjedhje të rëndë.
Sipas njoftimit, të arrestuarit kanë tentuar që të bëjnë vjedhje në një artarie në këtë qytet,
Njoftimi i policisë:
Më 01.02.2026, rreth orës 01:40, policia në Kaçanik ka pranuar informacione se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarie në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dhe arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Serbisë: M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer veprën penale “Tentim vjedhje e rëndë”.
Po ashtu, rreth të njëjtës kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas kosovarë: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç), të cilët janë shoqëruar në stacion policor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia e Hetimeve, e cila ka kryer ekzaminimin e vendit dhe ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, si: shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet i mprehtë (skalpër), si dhe doreza.
Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve janë gjetur edhe çelësat e një veture të tipit VË Caddy me targa vendore, e cila ishte e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy nga ta kanë pranuar përfshirjen në rast.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtjeme hetimore.
Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale dhe falënderon qytetarët për bashkëpunim, duke i inkurajuar që çdo veprim të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192 ose përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.

