Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të martën e javës së ardhshme do të mbahet seancë e Komitetit Ekzekutiv të OBRM-PDUKM-së, pas së cilës do të bëhen të ditura vendimet për emrat dhe ndryshimet në departamente në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë.
Duke folur në “Studio e Hapur” në RTVM, Mickoski theksoi se rikonstruimi nuk motivohet vetëm nga rezultatet e deritanishme të ministrave, por edhe nga nevoja për të ripërcaktuar prioritetet e partnerëve të koalicionit qeveritar.
“Nuk janë vetëm rezultatet që kanë rëndësi – nëse ishin të mira, jo mjaftueshëm të mira apo aspak. Ndonjëherë rikonstruimi bëhet sepse ndryshojnë prioritetet. Ajo që ishte e rëndësishme dy vjet më parë, sot ka një formë tjetër dhe kërkon një qasje tjetër”, tha kryeministri.
Ai theksoi se partnerët e koalicionit kanë prioritetet e tyre në fusha të caktuara dhe se pikërisht për shkak të kësaj do të ketë ndryshime në shpërndarjen e departamenteve. Sipas tij, ende nuk është vendosur nëse rikonstruimi do të përfshijë një të tretën e pozicioneve qeveritare apo numri i ndryshimeve do të jetë më i madh.
Mickoski nuk zbuloi emra ose portofole specifike që do t’i nënshtrohen ndryshimeve, duke theksuar se këto janë vendime politike që duhet të merren së pari në nivel partie.
“Së pari, duhet të kalojë seanca e Komitetit Ekzekutiv, dhe pastaj do të shpallim emrat dhe portofolet. Në thelb, bëhet fjalë për ndryshimin e portofoleve dhe harmonizimin me prioritetet e reja të partnerëve qeveritarë”, tha ai.
Duke iu referuar mandatit dyvjeçar të Qeverisë, Kryeministri vlerësoi se situata në vend sot është dukshëm më e mirë krahasuar me atë që gjetën kur morën pushtetin.
“E dinim që situata ishte e vështirë, por ajo që gjetëm ishte shumë më e keqe se sa pritej. Nëse dikush po fillonte nga e para, ne filluam nga një minus i thellë. Sot mund të them se institucionet janë të konsoliduara dhe të gatshme të ecin përpara më shpejt”, theksoi Mickoski.
Ai shprehu besim se qeveria e rikonstruar do të marrë mbështetje në Kuvend dhe do ta zbatojë me sukses mandatin e saj, me fokus në përmbushjen e detyrimeve të marra ndaj qytetarëve.

