Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se ka ekzistuar mundësia që vendi të mos shkonte në zgjedhje dhe të krijoheshin institucione stabile, por sipas tij kjo është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një konferencë për media, Tahiri tha se Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve, duke ngritur pyetjen pse vendi po shkon drejt këtij procesi dhe nëse një situatë e tillë ishte e pashmangshme.
“Ju kemi thirrur të flasim për një situatë që askush nuk do të donte ta shihte. Vendi ynë është në prag të zgjedhjeve dhe pyetja është pse po shkon Kosova drejt zgjedhjeve, a ishte e pashmangshme apo kishte mundësi që vendi të kishte president dhe institucione stabile? Përgjigjja jonë është e qartë: po, kishte mundësi. Por kjo u refuzua nga shumica parlamentare”, tha Tahiri.
Ai theksoi se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LVV kishte fituar 51.1 për qind të votave, duke marrë kështu një mandat të qartë nga qytetarët për të krijuar institucionet e vendit.
“Siç e dini, LVV në zgjedhjet e 28 dhjetorit i fitoi 51.1 për qind të votave. Qytetarët ia dhanë edhe një mandat për të krijuar institucione dhe ata konstituuan Kuvendin dhe formuan qeverinë më të madhe që Kosova e ka pasur ndonjëherë”, tha ai në konferencën për media.

