Enj. Maj 21st, 2026

Sot nis votimi me postë për diasporën, mbi 105 mijë qytetarë të regjistruar

Procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nis sot, më 21 maj, për të gjithë ata që janë regjistruar paraprakisht për këtë mënyrë votimi.

Sipas të dhënave, bëhet fjalë për afro 105 mijë votues të diasporës, shumica e të cilëve jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Një ditë para fillimit të procesit, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve se janë përgatitur pakot e fundit me fletëvotime që do të dërgohen tek qytetarët e regjistruar.

Ai bëri të ditur se deri tani janë bërë gati rreth 75 mijë pako individuale, të cilat do të shpërndahen duke filluar nga 21 maji, ndërsa afro 30 mijë të tjera do të transportohen fillimisht në aeroport dhe më pas drejt shteteve përkatëse gjatë së enjtes.

Secila pako përmban materialet e nevojshme për votim, përfshirë udhëzimet, fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes.

Nga KQZ kanë sqaruar gjithashtu se çdo dërgesë është pajisur me numër unik përcjellës, duke u mundësuar votuesve të kontrollojnë në çdo kohë se ku ndodhet pakoja e tyre.

Afati për votimin me postë do të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa votuesit janë ftuar që të mos presin momentin e fundit për dërgimin e fletëvotimeve, në mënyrë që ato të arrijnë me kohë për numërim në Kosovë.

Për këtë proces, KQZ ka aktivizuar kuti postare në 22 shtete të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Austrinë, Turqinë dhe vende të tjera. Në funksion mbetet edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.

Postime të Ngjashme