Hën. Dhj 8th, 2025

Sot fillon ‘Java Kundër Korrupsionit 2025’

Sot nis Java e Integritetit 2025, e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në bashkëpunim me Forumin Konsultativ të APK-së me Shoqërinë Civile.

Ngjarja do të hapet me fjalën hyrëse të Drejtorit të APK-së, Yll Buleshkaj, i cili do të prezantojë shkurtimisht temën e aktivitetit, ndërsa paneli me gjithë pjesëmarrësit do të trajtojë rëndësinë dhe ndikimin e planeve të integritetit në institucionet publike – një mekanizëm kyç për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e integritetit institucional.

Po ashtu Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO),, njofton se me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, edhe këtë vit do të organizojnë Javën Kundër Korrupsion, e cila fillon sot do të zgjasë nga data 8 dhjetor deri më 12 dhjetor 2025.

Gjatë kësaj jave, Koalicioni do të realizojë një sërë aktivitetesh që synojnë sensibilizimin e opinionit publik rreth korrupsionit dhe forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucione. Aktivitetet do të përfshijnë konferenca për medie, tryeza të diskutimit, publikimin e raporteve analitike, podkaste, aktivitete publike si dhe nisma kreative sensibilizuese në rrjete sociale, të cilat do të adresojnë temat më kritike që e prekin fushën e korrupsionit, krimit të organizuar, sundimin e ligjit, qeverisjen e mire dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Gjatë “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, do të publikohen një sërë raporte në këto fusha, përfshirë: “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit” (IKD), “Anulimet – forma më e heshtur e keqpërdorimit në prokurim publik” (INPO), “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare” (IKD), “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë, mes ligjit dhe realitetit” (FOL), “Korrupsioni si shkelje e të drejtave të njeriut” (IKD) , “Deklarimi i pasurisë: Gabimi gjyqësor që hoqi të gjithë përgjegjësinë shkelësve të ligjit” (IKD) dhe “Pavarësia dhe efikasiteti i OSHP-së: ndërmjet zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit” (INPO).

Në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese, koalicioni i OJQ-ve do të realizojë promo-video të përditshme, aktivitet të dedikuar kundër krimit të organizuar, si dhe një grevë një-ditore simbolike me moton “Greva kundër korrupsionit”, si shenjë proteste ndaj mungesës strukturore të përgjegjshmërisë institucionale në vend./

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *