Mar. Tet 6th, 2026

Sindikata e PK-së dënon çdo formë të dhunës: Jemi në mbrojtje të atyre që mbrojnë të tjerët

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës sot ka diskutuar zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara në Prishtinë dhe angazhimin e zyrtarëve policorë në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së tyre.

Sindikata e Policisë së Kosovës rithekson se e drejta e qytetarëve për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike dhe duhet të respektohet e të garantohet, por njëherësh paralajmëron se kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në dhunë ndaj zyrtarëve policorë, institucioneve apo qytetarëve të tjerë.

SPK dënon fuqishëm çdo akt dhune, hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë, duke përkujtuar se policët e Kosovës nuk janë palë në asnjë debat politik, por ata e kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e të gjithëve.

“Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për të gjithë zyrtarët policorë të angazhuar në terren, të cilët edhe në situata të tensionuara janë duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të rendit kushtetues, institucioneve, qytetarëve dhe vetë pjesëmarrësve në protesta”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, Sindikata e Policisë së Kosovës rikujton mbi përgjegjësitë e të gjithëve që dallimet politike dhe qëndrimet individuale të mos shndërrohen në përplasje me ata që janë të thirrur për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është një prind, një fëmijë, një vëlla apo një motër që në fund të ndërrimit pret të kthehet shëndoshë e mirë pranë familjes së tij”.

Kujtojmë, protesta e djeshme përshkallëzoi në tensione dhe me të lënduar, në mesin e tyre policë dhe protestues. E gjithë kjo pasi nuk u hodh në votim në lexim të dytë ndryshim-plotësimi i Ligjit për Specialen.

Postime të Ngjashme