Policia në Shtime ka pranuar një informatë lidhur me një rast të vjedhjes së rëndë, që dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “14 Dhjetori” në Shtime, gjatë periudhës kohore nga 22 gushti deri më 18 tetor të këtij viti.
Sipas ankuesit, mashkull kosovar-shqiptar, i cili jeton dhe punon jashtë vendit, në banesën e tij kishte lënë shumën prej 24,800 euro, ndërsa më datën 19 tetor ka vërejtur mungesën e parave.
Pas pranimit të informatës, Njësiti i Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me krimteknikët, është angazhuar menjëherë në hetime.
Me autorizim të prokurorit të shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit, bën me dije policia.
Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, nuk janë konstatuar shenja të thyerjes apo dëmtime që do të tregonin hyrje me forcë në banesë.
Si rezultat i hetimeve intensive, dje policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B.N. (34 vjeçar) – djalin e ankuesit, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar kryerjen e veprës penale.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.