Kuvendi do të mbajë këtë të martë seancën e radhës plenare, duke nisur nga ora 10:00, ku në rendin e ditës përfshihen disa çështje të rëndësishme, mes të cilave rishikimi i buxhetit të vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal, raporton Euronewsalbania.
Deputetët do të shqyrtojnë Aktin Normativ nr. 11, i cili parashikon rialokime financiare në disa sektorë prioritarë. Konkretisht, parashikohet shtimi i 15 miliardë lekëve për skemën e pensioneve, 2 miliardë lekë për bujqësinë, 1.8 miliardë lekë për shëndetësinë – kryesisht për furnizimin e spitaleve me barna – si dhe 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive.
Në këtë seancë do të diskutohet edhe rishikimi i Kodit Penal, i cili parashikon dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët dhe masa mbrojtëse për ta, duke ndëshkuar kërcënimet dhe dhunën ndaj përfaqësuesve të medias. Ndryshimet do të përfshijnë gjithashtu ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet e paligjshme, zjarrvënien dhe parkimin e dyfishtë.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin strategjik me Italinë në fushat e shëndetësisë, energjisë, mjedisit dhe migracionit, si dhe aderimin e Shqipërisë në traktate që lidhen me pronësinë intelektuale dhe luftën kundër tregtisë së paligjshme.
Seanca do të përfshijë edhe ndryshime në legjislacionin e drejtësisë në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

