Një shpërthim ndodhi sot rreth orës 3:30 në rrugën “Brigada 128” në Prizren.
Si pasojë e shpërthimit, që dyshohet se u shkaktua nga një granatë dore, zjarri përfshiu një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Nuk raportohet për persona të lënduar.
“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve. Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore. Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderushme. Motivet e rastit ende nuk dihen. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë, si dhe mbikëqyrës e eprorë policorë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
/Kosovapress/

