Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave, vendim ky i 17 janarit të këtij viti.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje administrative, me të cilin është aprovuar padia e OJQ Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe është deklaruar i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) i datës 17.01.2025”.
“Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së kryetarit të KPM-së. Po ashtu, ky vendim rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë, me rastin e marrjes së vendimeve të tilla”, ka sqaruar Bajraktari.
Pas këtij vendimi, KPM-ja detyrohet t’ia paguajë Institutit të Kosovës për Drejtësi shpenzimet e procedurës në vlerë prej 239 eurosh.
IKD-ja kishte kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së punës së Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur, më 17 janar.
Ndër të tjera, IKD-ja kishte kërkuar që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim-ndryshimit të rregullores, të deklarohet i paligjshëm.
Më 17 janar, me katër vota pro dhe një votë të pavlefshme, Besnik Berisha u zgjodh kryetari i ri Këshillit të Pavarur për Media, në një mbledhje të jashtëzakonshme ende pa i skaduar mandati i kryetarit të deritashëm, Jeton Mehmetit.
Emërimi i tij u mundësua pasi fillimisht u ndryshua rregullorja e u votua për kryesinë e re. Për shkarkimin e Mehmetit para përfundimit të mandatit pati reagime të shumta duke e vlerësuar të njëjtin “të kundërligjshëm”.

