Enj. Dhj 25th, 2025

Shkëmb Manaj qe mban numrin 29 nga LDK: Jemi në garë për të qeverisur vendin, do ta kthejmë stabilitetin në vend

Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, synon reforma në sistemin e drejtësisë.

Ai në intervistë për Gazeta Blic, ka folur për bllokadën 10 muajshe në vend dhe si do të veprojë LDK që ta nxjerrë vendin nga kriza e ta zhvillojë atë.

“Është një gjendje e jashtëzakonshme dhe e paprecedentë në skenën politike në vend sepse partia e parë në zgjedhje dështoi t’i formojë institucionet dhe nga shkurti ne nuk kemi institucione të formuara, ju e dini që partia në pushtet po vazhdon të qeverisë me vendin me rezultat të zgjedhjeve të vitit 2021, që nuk është legjitime sepse nuk ka legjitimitet e as legalitet sepse gjykata kushtetuese ka nxjerrë aktgjykim që kryeministri dhe ministrat po e ushtrojnë detyrën në kundërshtim me ligjin.

Mendoj se kjo situatë është pasi partia e parë ka dështuar t’i formojë institucionet sepse s’ka arritur të krijojë partneritet me partitë tjera dhe ta formojë qeverinë, andaj në një mënyrë po shkojmë në një proces të ri zgjedhor dhe mendoj se në këto rrethana zgjedhjet kanë qenë zgjidhja që të krijohet një momentum i ri politik për vendin tonë”, ka thënë ai.

Manaj thekson se LDK do të ketë rol aktiv në themelimin e institucioneve të Kosovës dhe se po hyjnë në garë për ta qeverisur vendin, me kryeministrin Lumir Abdixhiku.

“LDK do të ketë rol aktiv në themelimin e institucioneve të Kosovës. Ne hyjmë në këtë garë për të qeverisur vendin, me një program të detajuar dhe me një listë që ka personalitete të dëshmuara në jetën politike dhe institucionale, prandaj mendoj se menjëherë pas zgjedhjeve duhet t’i kemi institucionet, është e rëndësishme që të formohet qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit pasi pothuajse shumica e institucioneve janë të bllokuara për shkak se Kuvendi ka dështuar t’i emërojë njerëzit në pozita të rëndësishme dhe të cilët do të vendosin për të drejtat dhe liritë e qytetarëve në secilën fushë.

Mendoj se LDK do të ketë rol, hyjmë në këtë proces për të qeverisur me vendin, për të zgjedhur kryeministër Lumir Abdixhikun sepse mendojmë se vendit i duhet një qeverisje e LDK-së. Tashmë është e dëshmuar që sa herë LDK ose nuk e ka udhëhequr qeverinë ose s’ka qenë pjesë e qeverisjes, vendi ka qenë në një jostabilitet politik dhe institucional.

Prandaj mendojmë se është momentum që roli i LDK-së duhet të jetë shumë i madh që ta kthejmë stabilitetin politik, e para shtyllë e programit tonë është stabiliteti politik, që të zgjedhen institucionet e vendit sepse kemi shumë që janë me ushtrues detyre, përfshirë kryeprokurorin e shtetit”, ka deklaruar Shkëmb Manaj

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *