Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, ka zbuluar se shërbimet ruse të sigurisë kanë rekrutuar rreth 150 persona, të cilët kanë marrë trajnim të specializuar në Serbi për kryerjen e sulmeve të drejtpërdrejta ndaj objektivave të përzgjedhura.
Trajnimi është zhvilluar në një kompleks pushimi pranë kufirit me Bosnje dhe Hercegovinën, një vendndodhje e izoluar që do të ketë mundësuar zhvillimin e aktiviteteve larg vëmendjes publike.
Personat e përfshirë mendohet se janë përgatitur për operacione të koordinuara, ndërsa deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet serbe apo ruse lidhur me këto pretendime. Detajet mbi objektivat konkrete dhe kohëzgjatjen e trajnimeve mbeten të paqarta.
Këto zhvillime përputhen me gjetjet e një raporti të ri që ofron një vlerësim të gjerë mbi luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe ambiciet e saj më të gjera gjeopolitike.
Dokumenti arrin në përfundimin se Kremlini nuk ka synim real për t’i dhënë fund konfliktit, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme ushtarake, presionit ekonomik dhe rritjes së represionit të brendshëm, raporton thegeopost.
Sipas raportit, Moska vazhdon ta përdorë dialogun për paqe si instrument strategjik – për të fituar kohë, për të testuar unitetin e vendeve perëndimore dhe për të tentuar formalizimin e disfatës së Ukrainës. Rusia vazhdon t’i konsiderojë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n si kundërshtarët e saj kryesorë, edhe kur shfaq gatishmëri të përkohshme për bisedime.
Raporti thekson gjithashtu përpjekjet e Kremlinit për të riformësuar rendin ndërkombëtar. Përmes afrimit me atë që e quan “shumica globale” dhe përmes presionit ndaj vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, Moska synon të dobësojë ndikimin perëndimor. Moldavia dhe Armenia përmenden si shtete që përballen me fushata aktive ndikimi rus, përfshirë propagandë, presion ekonomik dhe ndërhyrje politike.
Në nivel global, dokumenti evidenton përdorimin e institucioneve akademike si mjete ndikimi në rajonin e Detit Baltik, krijimin e platformave alternative ndërkombëtare – përfshirë një “çmim paqeje” të mbështetur nga Rusia – si dhe thellimin e angazhimit në Afrikë. Veçanërisht shqetësuese konsiderohen raportimet se disa studentë afrikanë në Rusi janë mashtruar ose janë vënë nën presion për t’u përfshirë në shërbim ushtarak në Ukrainë.
Në planin e brendshëm, Rusia përshkruhet si një shtet nën presion në rritje. Lufta ka rënduar ekonominë dhe shoqërinë, me rritje të deficitit buxhetor, forcim të represionit dhe intensifikim të indoktrinimit ideologjik, veçanërisht tek të rinjtë.
Media e pavarur përballet me kufizime të reja, ndërsa proceset zgjedhore cilësohen si të kontrolluara për të garantuar stabilitetin e regjimit. Megjithatë, raporti vlerëson se një kolaps i plotë ekonomik mbetet i pamundur në afat të shkurtër.
Sa i përket sigurisë rajonale, dokumenti thekson se Rusia aktualisht nuk ka qëllim të ndërmarrë sulm ushtarak ndaj vendeve anëtare të NATO-s gjatë vitit të ardhshëm.
Sidoqoftë, me reformimin dhe zgjerimin e forcave të armatosura ruse – veçanërisht në sistemet pa pilot dhe prodhimin e municioneve – vendet baltike dhe aleatët e tyre duhet të ruajnë një nivel të lartë gatishmërie.
Mesazhi përfundimtar i raportit është i qartë: investimi i qëndrueshëm në mbrojtje dhe në forcimin e rezistencës shoqërore mbetet elementi kyç për të frenuar ambiciet e Rusisë dhe për të garantuar sigurinë në rajon. /The Geopost/

