Qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën e 7 qershorit. Zgjedhjet e reja po mbahen pasi legjislatura e kaluar nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri të vendit.
Por, cilat janë afatet për konstitutimin e institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme?
Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë se brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve duhet të thirret mbledhja konstituive e kuvendit. Seanca thirret nga presidentja, e në rast se ajo nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, në mungesë të saj, kuvendi mblidhet vetë.
“Kryetari i legjislaturës së mëparshme, jo më vonë se pesë (5) ditë para mbajtjes së seancës konstituive të kuvendit, e thërret mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike, që kanë fituar, vende në kuvend, për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallën e seancave plenare. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kanë për detyrim që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë (Aktgjykim, Gjykata Kushtetuese, në rastet nr. KO193/25 dhe KO196/25)”, ka thënë Miftaraj për IndeksOnline.
Miftaraj po ashtu ka folur edhe për zgjedhjen e qeverisë se re. Ai ka thënë se nuk ka afat kushtetues për fillimin e zgjedhjes së qeverisë dhe kryeministrit, por që menjeherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidenti/ja e thërret partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend për të formuar qeverinë dhe i kërkon të propozojë kandidatin për kryeministër.
“Sapo të marrë nominimin, presidentja i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër. Kandidati që emërohet nga partia fituese i ka 15 ditë për të propozuar përbërjen e qeverisë. Në rast se dështon zgjedhja e qeverisë në herën e parë, presidenti, brenda dhjetë ditëve emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Kandidati tjetër, i ka 15 ditë të tjera për të propozuar përbërjen e qeverisë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre”, ka shtuar ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Miftaraj ka thënë se afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit fillon të rrjedhë nga dita e konstituimit të kuvendit.
Kuvendi, sipas tij, shpërndahet nëse brenda gjashtëdhjetë ditësh nuk arrin të zgjedhë presidentin, nga dita kur fillon procedura e zgjedhjes së këtij të fundit.

