Punimet për renovimin e Shërbimit të Hemodializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pritet të nisin së shpejti, pas përfundimit të procedurave përgatitore, kanë bërë të ditur nga Drejtoria e QKUK-së për IndeksOnline.
Kjo vjen pasi më 20 maj 2026 është nënshkruar kontrata në vlerë prej mbi 700 mijë eurosh për renovimin e repartit, një investim që synon përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin mjekësor.
QKUK ka bërë të ditur për IndeksOnline se Klinika e Nefrologjisë tashmë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme organizative për të siguruar vazhdimësinë e pandërprerë të trajtimit të pacientëve gjatë periudhës së renovimit.
Sipas institucionit, është hartuar edhe plani i detajuar i realizimit të projektit, i cili përfshin të gjitha fazat e organizimit dhe zhvendosjes së përkohshme të shërbimeve.
“Plani është përgatitur me kujdes të veçantë, me qëllim që gjatë periudhës së renovimit asnjë pacient të mos mbetet pa trajtim apo shërbim shëndetësor”, thuhet në përgjigje.
Për të siguruar vazhdimësinë e trajtimit, pacientët kronikë që marrin shërbime të hemodializës do të sistemohen përkohësisht në qendra të tjera.
“Gjatë periudhës së zhvillimit të punimeve, trajtimi i pacientëve kronikë në hemodializë do të organizohet në qendrat më të afërta me vendbanimet e tyre. Konkretisht, një pjesë e pacientëve do të trajtohen në Qendrën e Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajit, në Poliklinikën e Podujevës, si dhe në Shërbimin e Hemodializës HD II në Kodrën e Trimave”, thuhet në përgjigjje.
Nga QKUK-ja kanë sqaruar gjithashtu se projekti aktual përfshin vetëm renovimin e hapësirave ekzistuese të Shërbimit të Hemodializës dhe jo furnizimin me pajisje të reja.
Megjithatë, sipas tyre, aparatet e reja të hemodializës tashmë janë pranuar, instaluar dhe kanë hyrë në funksion, duke ofruar shërbime për pacientët

