Po bëhet gati 1 vit, që nga koha kur dy jetë të rinjsh u shuan në mënyrë tragjike në Klinë, duke lënë pas dhimbje të thellë për familjet, miqtë dhe komunitetin.
Familjet e viktimave presin me ankth një epilog që do të përcaktojë fatin e të akuzuarit, Jon Hoti, i cili ishte dënuar më parë me 24 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore në Pejë.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë nga shqyrtimi i ankesave në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin e të dënuarit për vrasje të dyfishtë në Klinë, Jon Hoti.
Sipas të gjitha gjasave, procedura është ende në shqyrtim dhe vendimi pritet të bëhet publik në ditët në vijim.
Në seancën e mbajtur më 2 tetor të këtij viti, u trajtuan ankesat e mbrojtjes, palës së dëmtuar dhe Prokurorisë së Apelit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e kishte dënuar Hotin me 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 13 nëntor 2024 në Klinë.
Gjatë seancës, avokati i të dënuarit, Jeton Maqedonci, kërkoi që Apeli të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe ta kthejë çështjen në rigjykim, me arsyetimin se gjykata nuk ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese që janë theksuar nga mbrojtja gjatë gjithë procesit.
“Dënimi i shqiptuar është afër maksimumit ligjor dhe nuk pasqyron rrethanat lehtësuese si mosha e re, pendimi i menjëhershëm dhe kërkimi i faljes nga familjet e viktimave,” pati deklaruar Maqedonci, duke propozuar rigjykim ose ulje të dënimit.
Në anën tjetër, pala e dëmtuar, R.Sh. dhe S.Sh., përmes përfaqësuesve të tyre, kanë kërkuar ashpërsim të dënimit, duke e konsideruar të pamjaftueshëm sanksionin e shqiptuar nga Themelorja.
Prokuroria e Apelit mbajti qëndrim të ngjashëm, duke propozuar që ankesa e palëve të dëmtuara të aprovohet si e bazuar, ndërsa ajo e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar.
Sipas aktakuzës, më 13 nëntor 2024, në një lokal në qendër të Klinës, i pandehuri Jon Hoti kishte qëlluar me armë zjarri drejt viktimave R.Sh. dhe A.Sh., duke i privuar nga jeta dhe duke vënë në rrezik edhe persona të tjerë që ndodheshin aty.
Njëri prej viktimave kishte ndërruar jetë në vend, ndërsa tjetri ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës.
Hoti u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1.
Derisa Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim, mbetet të shihet nëse rasti do të kthehet në rigjykim apo nëse dënimi do të ashpërsohet, siç kanë kërkuar pala e dëmtuar dhe prokuroria.

