Hën. Dhj 15th, 2025

Raporti i GGK-së: Kapacitetet ujore të Kosovës, nën kufirin e sigurisë ndërkombëtare

Grupi GIS i Kosovës (GGK) ka prezantuar së fundmi një hartë tematike që ilustron liqenet artificiale kryesore të vendit dhe kapacitetin e tyre ujor, duke tërhequr vëmendjen ndaj sfidave serioze që lidhen me qëndrueshmërinë afatgjatë të burimeve të ujit në Kosovë.

Të dhënat e GGK-së tregojnë se liqeni i Ujmanit vazhdon të jetë rezervuari më i madh dhe më i rëndësishëm strategjik, me një kapacitet prej rreth 390 milionë metra kubë ujë. Pas tij renditet liqeni i Radoniqit, i cili mban afërsisht 113 milionë metra kubë dhe është jetik për furnizimin me ujë në rajonin e Dukagjinit.

Në anën tjetër, liqeni i Batllavës dhe ai i Badocit, me kapacitete përkatësisht rreth 35 dhe 30 milionë metra kub, përbëjnë burimet kryesore të ujit të pijshëm për pjesën qendrore të Kosovës. Edhe liqenet më të vegjël, si Vasileva, Përlepnica dhe Livoçi, ndonëse me vëllime më të kufizuara, kanë rëndësi të veçantë për furnizimin lokal me ujë.

Sipas vlerësimeve të GGK-së, kapaciteti i përgjithshëm i liqeneve artificiale në Kosovë arrin rreth 577 milionë metra kubë, që i bie rreth 360 metra kubë ujë për banor. Kjo sasi është dukshëm më e ulët se standardi ndërkombëtar i sigurisë ujore, i cili konsiderohet mbi 1,000 metra kubë për person.

Bazuar në këto të dhëna, Kosova konsiderohet vend me mungesë të theksuar të ujit, veçanërisht gjatë muajve të verës dhe në periudhat me reshje të pakta. GGK-ja paralajmëron se, pa menaxhim efikas të burimeve ekzistuese dhe pa investime në kapacitete të reja ujore, rezervat aktuale nuk do të jenë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat afatgjata të vendit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *