Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se Kosova vazhdon të përballet me sfida dhe rreziqe të ndryshme në fushën e sigurisë kombëtare, ndërsa ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, raporton Ekonomia Online.
“Kosova edhe më tutje vazhdon me u përball me sfida e rreziqe të ndryshme të sigurisë kombëtare, edhe ajo që është me rëndësi është që bashkëpunimi mes Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe NATO-s duhet të rritet e të profilizohet në kuptimin e një protokolli të ri operacional me NATO-n, që është i domosdoshëm. Ndërkaq pjesa e sigurisë njerëzore apo sigurisë së brendshme, ta themi vazhdon që të ketë sfida dhe rreziqe të ndryshme, prej komunikacionit, pra rreziqeve dhe sigurisë në komunikacion, e që ka neglizhencë të shtuar qeveritare në këtë pjesë, e deri në numrat apo statistikat e krimeve të lehta, për të cilat qytetarët shpesh ndihen të pasigurtë, sepse tek e fundit siguria është edhe ndjenjë dhe jo vetëm aspekt fizik”, tha ai.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ramadani deklaroi se ndër kërcënimet kryesore për sigurinë e Kosovës janë ndikimi rus dhe serb, lufta hibride, si dhe krimi i organizuar.
“Mungesa e stabilitetit institucional është pjesa kryesore me të cilën sot përballet Kosova, tash e një vit e gjysmë ose gati dy vjet, sfidat e sigurisë rajonale, pra kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, influenca ruse dhe serbe, përmes prokseve brenda Kosovës, lufta hibride e cila po vazhdon edhe më tutje me manipulim të madh të masave, me propagandë çnjerëzore edhe brenda Kosovës dhe jo vetëm në raport me Kosovën, sikurse edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni, që tashmë edhe me raportet e shteteve të Departamentit të shtetit amerikan, janë identifikuar si probleme serioze qeveritare në Kosovë”, tha ai.
Kurse, ka shtuar se siguria kombëtare e Kosovës rrezikohet në momentin kur nuk ka institucione stabile dhe funksionale.
“Absolutisht, jo stabiliteti institucional është një prej bazave të rreziqeve të sigurisë kombëtare që vjen në Kosovë, sikurse kudo nëpër botë që ndodhen. Kosova është shtet i ri, i brishtë edhe më tutje dhe sado që ka periudhë që për një dekadë ka funksionuar me institucione stabile, në dy vitet e fundit, tashmë jemi në ballafaqim të një jo stabiliteti institucional, i cili është thelbi i sigurisë kombëtare, respektivisht siguria kombëtare e Kosovës rrezikohet kur nuk ka institucione stabile dhe funksionale”, deklaroi ai për EO.
Kurse, sa i përket planifikimeve për reduktimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, Ramadani theksoi se e rëndësishme është që reduktimi i këtyre të fundit të lidhet me fuqizimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.
“Është jashtëzakonisht me rëndësi që reduktimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it të lidhet ose të komplementohet edhe me fuqizimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe me protokoll operacional midis institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe NATO-s duke përfshirë këtu dhe KFOR-in në mënyrë që të mos ketë vakume dhe të mos ketë as pretendime dhe as mundësi që Kosova të atakohet, pra të sulmohet, qoftë përmes grupeve paramilitare, sikurse ka ndodhur rasti i Banjskës, qoftë në forma tjera jokinetike, pra unë besoj që institucionet në Kosovë kurdo që formohen dhe duhen të formohen sa më shpejtë, duhet të jenë jashtëzakonisht aktive për të ndërtuar protokoll të ri operacional me NATO-n, në mënyrë që Kosova edhe të fuqizohet edhe të jetë me komunikim të vazhdueshëm me NATO-n”, u shpreh ai.
Ndërsa, për projektin e gazit amerikan, Ramadani ka deklaruar se Kosova është në një udhëkryq strategjik, për siç ka thënë ai për shkak të një kokëfortësie të qeverisë aktuale.
“Tash është diçka e qartë, Kosova është në udhëkryq strategjik, për shkak të një kokëfortësie negative dhe të dëmshme të qeverisë aktuale për një qasje refuzuese ndaj të mirave për Kosovën, pra kyçja, angazhimi i Kosovës, respektivisht, furnizimi i Kosovës me gaz amerikan, nuk është e mirë për Amerikën, është e mirë për Kosovën dhe logjika që institucionet e Kosovës, partitë politike të caktuara, vendimmarrëse në Kosovë, të refuzojnë një të mirë për Kosovën, e që është edhe aspekt strategjik, pra nuk është vetëm aspekt praktik, besoj që e ka vendosur Kosovën në një udhëkryq strategjik, të cilin Kosova nuk guxon të kthehet prapa, nuk guxon të futet edhe zyrtarisht në zonën e influencës ruse dhe për këtë kemi mesazhe tepër të qarta amerikane, e për të cilat Kosova dhe populli i Kosovës asesi nuk është në kundërshtim me vlerat dhe me bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

