Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani ka bërë thirrje që ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu i cili po mbahet në burgun e Serbisë të përkrahet me të gjitha mjetet institucionale e diplomatike.
“Arbnor Spahiu, ish-polici i Kosovës, duhet të përkrahet me të gjitha mjetet institucionale e diplomatike. Ai po mbahet peng në Serbi për muaj të tërë”, ka shkruar Ramadani.
Ndërkohë që sot me fillim nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet një protestë paqësore në mbështetje të ish-policit Arbnor Spahiu.
Kërkesa e vetme e kësaj proteste, është lirimi i tij nga paraburgimi në Serbi, ku po mbahet tash e katër muaj. Në njoftimin e familjes Spahiu, thuhet se kjo protestë ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ishte ndaluar me 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Autoritetet e drejtësisë në Serbie e akuzojnë atë për gjoja kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Sipas tyre, Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë të Zveçanit, pra me 23 shtator 2023, në kohën kur një grup terroristësh serb të armatosur në krye me kryekriminelin Milan Radoiçiqin sulmuan policinë e Kosovës e ku e vranë rreshterin Afrim Bunjaku

