Lumi Vjosa ka arritur pikën kritike ditën e sotme, ku niveli i ujit ka shkuar në rreth 9.2 metra mbi nivelin e detit, duke përbërë një rrezikshmëri të lartë për të gjithë banorët e Njësisë Administrative Novoselë.
Situata paraqitet tejet kritike, pasi në rast se lumi Vjosë del nga shtrati i tij, ujërat mund të përhapen dhe të shkojnë në afërsi të qytetit të Vlorës, duke shkaktuar pasoja të rënda për zonën.
Ndërkohë, 7.5 metër mbi nivelin e detit ka arritur në Memaliaj, çka tregon që prurjet janë të shumta. Lumi e ka mbuluar njësinë matëse hidrometër që ndodhet me 100 ha të mbytura. Ndërkohë 14 banesa janë prekur nga uji.
Si pasojë e prurjeve të lumit, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit te Kafaraj, Njesia Administrative Frrakull, nga ku bëhet edhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit.
Kryetari i fshatit Novoselë Liu Moçka shprehet se nuk ka përjetuar asnjëherë më parë një situatë të tillë, me këto prurje të mëdha të lumit Vjosë, të cilat paraqesin një rrezik evident për banorët, edhe pse ata janë njoftuar paraprakisht.
Ndërkohë që lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, Qafa e Llogorasë, përkatësisht zona e Llogorasë, është mbuluar nga dëbora e parë. Rreth orës 07:30 të mëngjesit të sotëm kanë nisur reshjet e dëborës në këtë zonë, duke krijuar një shtresë që arrin deri në 10 cm.
Kjo është hera e parë për këtë sezon që zona e Llogorasë përjeton reshje dëbore. Aktualisht, rruga është e mbuluar nga dëbora, pasi reshjet kanë nisur vetëm prej disa orësh. Megjithatë, situata paraqitet e qetë dhe pritet që borëpastrueset të nisin punën për hapjen e rrugës në zonën e Qafës së Llogorasë.

