Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Claude Haagen, ka shprehur shqetësimin për protestat e dhunshme në Shqipëri, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të angazhohen në dialog paqësor.
Në reagimin e tij, Haagen ka theksuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, ndërsa ka kërkuar respektimin e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe të drejtave të qytetarëve.
“Si Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, jam thellësisht i shqetësuar nga raportimet për protesta të dhunshme në Shqipëri.
Dhuna nuk ka vend në një demokraci. U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në dialog paqësor.
Respektimi i shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe të drejtave të qytetarëve duhet të mbetet përparësi absolute”, ka deklaruar Haagen.
Reagimi i tij vjen pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë protestave në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me incidente të dhunshme.
Ndërkohë, edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë thirrje për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve, nëse një gjë e tillë kërkohet.
/KosovaPress/

