Prishtina ka nisur fazën e dytë të projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë, me të paktën 40 lokacione të reja që pritet të përfshihen në rrjet.
Në kuadër të zgjerimit, kamerat do të vendosen edhe në Parkun e Gërmisë dhe në parqe të tjera të kryeqytetit.
Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se pas përqendrimit fillestar në qendër të qytetit, projekti tani do të shtrihet edhe në zona të tjera.
“Fillimisht kemi filluar me qendër, tash do të fillojmë të zgjerohemi, do t’i ikim sa më shumë qendrës dhe do të dalim edhe në pjesë të tjera të qytetit”, ka deklaruar Fushtica, duke njoftuar se në fazën e dytë përfshihen Gërmia dhe parqet e tjera.
Përveç kamerave, në kuadër të këtij projekti janë planifikuar edhe dy radarë mobilë.
Aktualisht, në 55 lokacione të Prishtinës janë të vendosura 165 kamera. Vetëm gjatë periudhës janar–korrik 2026, përmes këtij sistemi janë evidentuar dhe shqiptuar rreth 4 mijë gjoba për kundërvajtje në trafik.
Ndërkohë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka vlerësuar se Policia e Kosovës ka bazë ligjore për vendosjen e kamerave dhe se sistemi nuk përpunon të dhëna biometrike të qytetarëve.

