Një incident i pa zakontë ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën “Nëna Terezë” në Istog, ku një person i armatosur ka kërcënuar dy zyrtarë policorë që ishin në detyrë pa uniforma.
Fadil Gashi zëdhënës për rajonin e Pejes ka thënë për Indekonline, se dy zyrtarë policorë, të cilët ndodheshin në patrullim, kanë vërejtur një veturë të dyshimtë me dy persona brenda. Pas afrimit për kontroll, policët u kanë kërkuar personave të dalin nga automjeti.
“Në atë moment, pasagjeri ka tentuar të largohet dhe ka nxjerrë një armë, duke e drejtuar në drejtim të zyrtarëve policorë.
Policët kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë veprime për të evituar rrezikun ndaj tyre dhe qytetarëve përreth, dhe me përdorim proporcional të forcës kanë arritur ta neutralizojnë situatën dhe ta arrestojnë personin e armatosur.
Gjatë ndërhyrjes, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa i dyshuari dhe personi tjetër që ndodhej në veturë janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Istog, ku janë duke u intervistuar nga hetuesit.”, tha Gashi.

