Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për “blerje, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” në Istog.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur të dielën në rrugën “2 Korriku”, ku njësitet policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe konfiskuar 31 doza të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndara në qese të vogla.
Njësiti i antidrogës (DHTN) ka vazhduar hetimet me bastisje në dyqanin dhe banesën e të dyshuarit, ku në banesë është gjetur edhe një sasi tjetër e së njëjtës substancë. Ndërkohë, gjatë kontrollit të dollapëve të tij në vendin e punës, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Sasia totale e narkotikëve të konfiskuar është 17.4 gram. Po ashtu, janë sekuestruar edhe një veturë, një telefon i tipit iPhone 17 Pro, një shumë prej 3,475 eurosh si dhe një peshore elektronike.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

