Sht. Shk 21st, 2026

Përurohet objekti modern, Kurti: AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, me ç’rast u bë përurimi i një objekti modern në kompleksin e Agjencisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti u shpreh se inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, shkruan IndeksOnline.

“Më inkurajon fakti që AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkëpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

Dje, pata kënaqësinë të vizitoj Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku u prita nga Drejtori z. Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë.

Vizita u realizua me rastin e festimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së, me ç’rast ndamë certifikatat për zyrtarët e rinj, si dhe përuruam një objekt modern në kompleksin e AKI-së.

Inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, duke garantuar që Republika jonë të jetë e përgatitur për çdo sfidë dhe të marrë vendime të informuara.

Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë.

Më inkurajon fakti që AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkëpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere.

Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare.

Shpreha mirënjohjen dhe respektin tim për stafin drejtues dhe të gjithë zyrtarët e AKI-së që shërbejnë me nder, përkushim të lartë dhe atdhedashuri, në një profesion që është mision, shpesh në heshtje, por gjithmonë në mbrojtje të Republikës dhe të qytetarëve të saj.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *