Pre. Jan 9th, 2026

Përfundon numërimi i votave, KQZ e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, zgjedhje këto të cilat fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se tashmë ky institucion është i gatshëm të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, theksoi ai.

Ndërsa, sot në orën 02:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës.

Gjithë procesi i numërimi të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit u krye brenda 12 ditësh, e kjo sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tregon kohë të shpejt dhe efikase të KQZ-së në përmbyllje të këtij procesi.

“Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Përfundimi i krejt këtij procesi vjen vetëm 12 ditë pas ditës së zgjedhjeve, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase të përmbylljes së procesit të numërimit”, u shpreh Elezi.

Partia Demokratike e Kosovës për votat me postë është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes të cilës ankesë po kërkon shfuqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetori , Lëvizja Vetëvendosje fitoi 51.11 për qind të votave, e dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.19, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *