Mër. Mar 4th, 2026

PDK i reagon LVV-së: Në vend të një qasje të përgjegjshme dhe shtetërore u propozua një kandidat partiak

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me një komunikatë lidhur me kandidatin e propozuar nga LVV, Glauk Konjufca duke thënë se të gjitha mundësitë për zgjidhje i kanë diskutuar mirëpo kjo e fundit i ka refuzuar.

PDK theksoi se vendi po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale dhe se zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e saj që për shkak të papërgjegjshmërisë së shumicës parlamentare dhe mosgatishmërisë së z. Kurti për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse apo ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit të ri dhe po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale. Zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare. Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu tutje thuhej se LVV nuk pranoi që kandidati të propozohet nga PDK për ta shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme.

“Në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit. Si kontribut për stabilitetin, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh politik opozitar kemi kërkuar që të zgjidhet një President i propozuar nga PDK-ja, si mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme” shkruhej në reagim.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *