Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, mori pjesë të hënën në mbledhjen e 279-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke theksuar se pjesëmarrja e tij është vetëm si anëtar ex-officio.
“Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”, tha Qalaj.
Qalaj u caktua ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit më 20 nëntor nga pesë anëtarë të KPK-së, pas shkarkimit të Besim Kelmendit. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor nga disa, ndërsa vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.
Mbledhja e Këshillit nisi me një orë vonesë nga ora e planifikuar, ndërsa Qalaj nënvizoi se roli i tij në këtë fazë është të sigurojë procesin dhe të ruajë neutralitetin deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

