Autoritet i Konkurrencës në Kosovë ka njoftuar se është duke e monitoruar nga afër lëvizjen e çmimit të peletit. Në Kosovë janë mbi 10 kompani importuese të këtij produkti por mbi 90% e sasisë totale vie nga Mali i Zi, për çka Autoriteti i Konkurrencës ka thënë se po e monitoron një ndërmarrje dominuese që bën importin e peletit në Kosovë.
“Autoriteti ka identifikuar ekzistencën e një ndërmarrjeje me pjesëmarrje të konsiderueshme (pozitë dominuese) në importin e peletit ndër vite, e cila mbetet nën mbikëqyrje të shtuar. Po ashtu, nga të dhënat importuese, konstatojmë që se ka mbi 10 kompani importuese të këtij produkti, por katër kompanitë më të mëdha që importojnë produktin e peletit përbëjnë mbi 70% të tregut të importit. Produkti i peletit importohet në Kosovë nga disa shtete. Mbi 90% e sasisë totale të importuar vjen nga Mali i Zi, ndërsa pjesa tjetër, më e vogël, importohet nga shtete të tjera. Autoriteti është duke analizuar në mënyrë të vazhdueshme sjelljen e ndërmarrjes me pozitë dominuese gjatë vitit 2025, përfshirë politikat e çmimeve, kushtet e shitjes, shpërndarjen në treg dhe çdo praktikë potenciale të kufizimit ose kushtëzimit të kontratave”, thuhet në njoftimin në Facebook.
Tutje sipas Autoritetit të Konkurrencës, në rast se krijohen elemente ligjore e faktike, do të fillohet procedura “hetimore ndaj ndërmarrjes me Pozicion Dominues për Abuzim me Pozitën e saj”.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, nga fillimi i vitit 2025 janë evidentuar sinjale për rritjen e çmimit të peletit në Kosovë, por që në këtë fazë sipas Autoritetit, po trajtohen si të ndërlidhura me faktorët sezonal.
“Pas stabilizimit relativ gjatë viteve 2023–2024 dhe fillimit të vitit 2025, nga tremujori i tretë (Q3) janë evidentuar sinjale për rritje të çmimeve të shitjes së peletit në tregun vendor. Pas shkëmbimit të informatave me Doganën e Kosovës dhe ndërmarrjeve importuese, lidhur me lëvizjet e çmimeve, këto zhvillime, në këtë fazë, trajtohen si të ndërlidhura me faktorët sezonalë, ndërkombëtarë dhe të kostos ( indikatorë ekonomikë)”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.

