Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një postim ku flet për sfidat, kundërshtarët dhe përkushtimin e LDK-së në garën politike.
Abdixhiku është shprehur se në jetë duhet pasur vullnet dhe durim duke theksuar se është i vetëdijshëm për kundërshtarët.
“Jemi të vetëdijshëm që kemi kundërshtarë. Që fërkojnë duart e aktivizohen me helm edhe për ngjarjet më periferike tonat. Për suksese natyrisht se nuk kanë asnjë fjalë.
Por LDK nuk bjen në detin e madh të parëndësisë së tyre; prandaj kërkojmë mirëkuptim nga mbështetësit tanë se pse nuk reagojmë për çdo helm që kanë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka kërkuar mirëkuptim nga mbështetësit e LDK-së për faktin që partia nuk reagon ndaj çdo sulmi, duke thënë se tashmë kanë “punë më të mençura” dhe janë në garë për fitore.
“Për punët brenda shtëpisë sonë do të ketë rend. Me kohë gjithçka. Kemi nisur diçka të madhe. Po e shohim që ju kemi pas. Le të fitojmë tash!”, ka theksuar Abdixhiku.
Abdixhiku ka shtuar se LDK-ja është e fortë dhe në rritje, me anëtarësi e popull pas vetes, duke e cilësuar këtë si pasurinë më të madhe të partisë.
“Për helmin e madh ndaj Lidhjes, ndërsa, kundërshtarëve do t’iu bjerë të presin gjatë. Lidhja është e fortë. Po rritet. Veç me besim e bindje; me anëtarësinë e popullin pas; dhe mbi të gjitha pa interesa e pa kalkulime. Kjo është pasuria më e madhe e jona”, ka shkruar kreu i LDK-së