Hën. Kor 13th, 2026

​Parlamenti Europian mesazh zyrtar Serbisë: Normalizimi i raporteve me Kosovën është kyç për integrimin

Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të ndërmarrë hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, duke e cilësuar këtë proces si një element të domosdoshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, institucionet evropiane kanë theksuar se Beogradi duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm ndaj parimeve dhe vlerave të BE-së, përmes reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve demokratike.

“Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të nevojshme për të zgjidhur krizën politike”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Parlamenti Evropian.

Në të njëjtin reagim, PE ka nënvizuar edhe nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi, duke i konsideruar ato një hap të rëndësishëm për kapërcimin e krizës politike që ka përfshirë vendin, transmeton Euronewsalbania.

Sipas Parlamentit Evropian, garantimi i një procesi zgjedhor demokratik mbetet një nga faktorët kryesorë për rikthimin e besimit qytetar dhe stabilitetin politik në Serbi.

Postime të Ngjashme