Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se kryeministri Albin Kurti i kishte falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit ‘për shkak të tij’.
Sipas reagimit të OVL-UÇK-së, këto deklarata tregojnë fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual, ideologjinë e tij antikombëtare dhe orientimin kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.
Organizata ka theksuar se kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kundërshtojnë fuqishëm lojërat me pronën dhe territorin e Kosovës, të cilat sipas tyre po bëhen për kapriço dhe favore personale.
“Deklaratat e një ministri se kryeministri i Kosovës i ka falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”, tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, ideologjinë e tyre antikombëtare dhe orientimin e tyre kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Duke ndjekur këto zhvillime të padëgjuara më parë, Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së shprehin kundërshtim të ashpër ndaj lojërave me pronën dhe territorin e Kosovës, që ky pushtet po i bën në shërbim të kapriçove dhe favoreve personale”, thuhet në reagim.
Po ashtu, OVL-UÇK shton se përpjekjet për të relativizuar këtë skandal thellojnë shkeljen e dinjitetit dhe ofendimin e sakrificës së popullit shqiptar dhe të rënëve për liri.

