Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar organizimin e një tubimi para Kuvendit të Kosovës të hënën, më 5
tetor, duke nisur nga ora 12:00.
Thirrja për protestë vjen pas mungesës së një marrëveshjeje politike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. OVL-UÇK ka bërë të ditur se, nëse deri të dielën nuk arrihet dakordim për votimin e menjëhershëm të ndryshimeve ligjore, do të përshkallëzojë veprimet nga dita e hënë.
Në deklaratën e saj, organizata ka shprehur pakënaqësi ndaj qasjes së pushtetit dhe, në veçanti, ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se çështja po zvarritet përmes kalkulimeve politike dhe procedurale.
“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund”, thuhet në deklaratën e OVL-UÇK-së.
Organizata u ka bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit para Kuvendit, duke theksuar se kërkohet miratimi i menjëhershëm i ndryshimeve të propozuara në ligj.
Sipas OVL-UÇK-së, afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale është deri të dielën. Në rast se nuk arrihet dakordimi, organizata paralajmëron përshkallëzim të veprimeve.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se kategoritë e dala nga lufta janë të indinjuara me mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, ndërsa organizata e konsideron atë të rëndësishme për veteranët dhe qytetarët e Kosovës.
Tubimi është paralajmëruar për të hënën, më 5 tetor, në orën 12:00, para Kuvendit të Kosovës.

