Sht. Gus 29th, 2026

Osmani kritikon BE-në: Po vazhdoni ta shpërbleni Serbinë me miliarda euro, ndoshta do zgjoheni një ditë

Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me përpjekjet e Serbisë për të lartësuar Ratko Mlladiqin, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Osmani ka thënë se me të drejtë bota, është e indinjuar nga reagimi i shtetit serb për Mlladiqin, dhe se, për ketë, është paralajmëruar Evropa.

Ish-presidentja, tutje, ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se, Brukseli po vazhdon ta shpërblej Serbinë me miliarda euro.

‘’ Nuk mund ta financosh një regjim që glorifikon armiqtë e Evropës dhe më pas të befasohesh kur ai sillet si një i tillë. Pyetja nuk është më nëse Serbia ka ndryshuar. Pyetja është se për sa kohë Brukseli do të vazhdojë të shtiret se ajo ka ndryshuar. Serbia ende fle mbi varret masive të civilëve të pafajshëm’’, ka shkruar mes tjerash ajo.

Postimi:

Bota me të drejtë është e indinjuar nga reagimi i regjimit të Vuçiqit ndaj vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

Por kjo është pikërisht ajo për të cilën e kemi paralajmëruar Evropën gjatë gjithë kësaj kohe: Serbia dhe regjimi i saj nuk kanë ndryshuar kurrë.

Ajo që ka ndryshuar është se Serbia sot është një vend kandidat për anëtarësim në BE, i cili glorifikon kriminelët e luftës dhe kremton krimet e tyre.

Një vend kandidat që vazhdon të mohojë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, dhunën seksuale gjatë luftës, masakrimin e fëmijëve të vegjël, ndër të tjera.

Një vend kandidat që vazhdon t’i sulmojë fqinjët e tij.

Një vend kandidat që qëndron në krah të Putinit, është partner me Kinën dhe Iranin dhe vepron kundër sigurisë së Evropës, ndërkohë që pretendon se është partner i Evropës.

Një vend kandidat që refuzon të hapë arkivat e tij, ndërsa familjet në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë ende kërkojnë të dashurit e tyre të zhdukur me forcë.

E megjithatë, Brukseli vazhdon ta shpërblejë me miliarda euro.

Nuk mund ta financosh një regjim që glorifikon armiqtë e Evropës dhe më pas të befasohesh kur ai sillet si një i tillë.

Pyetja nuk është më nëse Serbia ka ndryshuar. Pyetja është se për sa kohë Brukseli do të vazhdojë të shtiret se ajo ka ndryshuar.

Serbia ende fle mbi varret masive të civilëve të pafajshëm.

Ndoshta një ditë, vetëm një ditë, Brukseli do të zgjohet dhe do ta shohë fytyrën e vërtetë të Serbisë.

Postime të Ngjashme