Pre. Tet 24th, 2025

“Nuk jemi të gatshëm…” ndërpritet seanca gjyqësore ndaj ish-policëve serbë të akuzuar për krime lufte

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca gjyqësore ndaj ish-policëve serbë Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të akuzuar për krime lufte. Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari i Prokurorisë, Naim Haliti, por vazhdimin e dëgjimit të dëshmitarit në këtë seancë e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarit, Zoran Kostiq me arsyetimin se deklaratën e këtij dëshmitari në gjuhën serbe e kanë pranuar vetëm 10 minuta para se të nis seanca.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Zoran Kostiq, Predrag Milkoviq u shpreh se nuk janë të gatshëm për të vazhduar këtë seancë.

“Jo nuk jemi gati, sepse ne tek tani e kemi pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Dhe konsiderojmë që na nevojitet kohë ta shqyrtojmë këtë deklaratë. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga seanca e kaluar, por mbrojtja nuk mund të pranoj që kjo të vazhdoj”, tha ai.

Edhe kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala tha se edhe gjykata sot e ka pranuar deklaratën e dëshmitarit, Naim Haliti të përkthyer në gjuhën serbe.

“Këto 10-15 minuta vonesë ka qenë pikërisht për këtë deklaratë pasi sipas prokurorisë deklarata është dërguar në email tek gjyqtari deklarata realisht nuk është dërguar në email të gjykatës ne kemi pas kërkesë që ta kemi deklaratën, por nuk e kemi pas, dhe gjykata tek sot tani ka siguruar nga ana e prokurorisë deklaratën e dëshmitarit të përkthyer në gjuhën serbe”, tha ai.

Por, prokurorja e rastit, Florije Shamolli kërkoi që dëgjimi i propozuara nga Prokuroria të dëgjohet sot dhe të merret në pyetje vetëm nga Prokuroria.

“Për të mos e zvarritur këtë procedurë është mirë që dëshmitari të merret në pyetje nga ana e prokurorisë pastaj mbrojtja në seancën e ardhshme. Edhe ashtu agjendën e kemi të caktuar vetëm në sesionin e paradites”, deklaroi prokurorja.

I pyetur nga trupi gjykues se mund të vazhdohet seanca e sotme, mbrojtësi i Zoran Kostiq, Predrag Mikoviq mohoi se seanca mund të vazhdoj.

“Jo nuk e di se çka do të pyes prokurorja duhet ta njoh deklaratën”, u shpreh ai.

Në mungesë të kushteve për të vazhduar shqyrtimi gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala e ndërpreu seancën e sotme e cila do të vazhdoj më 24 nëntor nga ora 13:15.

“Pa dashtë që të mohon të drejtën mbrojtjes për mbrojtje efektive vlerëson se sot nuk ka kushte për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor dhe jepet kohë avokatit që ta lexoj deklaratën”, u shpreh gjyqtari, Shala.

Në seancat e mëparshme janë dëgjuar dëshmitë e dy dëshmitarëve të Prokurorisë, Habib Mustafa dhe Rrahim Tahiri.

Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen se në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Në seancën e shqyrtimi fillestar të mbajtur në qershor të vitit 2024 dy të akuzuar janë deklaruar të pafajshëm

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *