Enj. Mar 19th, 2026

Njohja e dokumenteve nga strukturat paralele, Kurti e krahason Ligjin për të Huajt me çështjen e targave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Ligji për të Huajt po zbatohet nga periudha e para 13 vjetëve, në përkim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në një deklarim për media, Kurti u shpreh se veprime të ngjashme kishte ndërmarrë edhe në rastin e targave të automjeteve, shkruan IndeksOnline.

“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave që janë ën sistemin e shëndetësisë dhe arsimit.

Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj financave dhe administrimit, nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës. Kanë ngelur arsimi dhe shëndetësia – ato do t’i inkorporojmë. Por, që ta bëjmë këtë është e domosdoshme që një herë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve e infermierëve që punojnë në këto struktura.

Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor, ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelen pa mësim. Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E, në mënyrë legale, do të thotë përbrenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë aspekt po punojmë, duke dhënë një dritare 12 mujore, përkatësisht 3 mujore, për qëndrim, për punë, dhe pastaj për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës.

Afate të tilla të ngjashme kemi dhënë edhe kur ka qenë puna për targa të automjeteve. Ky nuk është një veprim politik, është zbatim i ligjit dhe zbatim gradual në bashkëpunim me BE-në” deklaroi Kurti.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *