Mar. Dhj 23rd, 2025

Një test i thjeshtë zbulon nëse vuani nga aphantasia

Një test i thjeshtë mund të tregojë nëse një person jeton pa e ditur me një paaftësi të fshehur të quajtur aphantasia – një gjendje që e bën të pamundur krijimin e imazheve mendore në tru.

Shpesh e padiagnostikuar dhe pak e kuptuar, aphantasia ndikon në aftësinë e trurit për të vizualizuar figura, skena apo fytyra, edhe pse shikimi fizik është plotësisht normal.

Edhe pse vlerësohet se 2 deri në 5 për qind e njerëzve kanë aphantasia, shumica dërrmuese nuk diagnostikohen kurrë zyrtarisht.

Meqenëse gjendja është e padukshme dhe nuk testohet në mënyrë rutinë, ekspertët besojnë se miliona njerëz nuk e dinë që e kanë dhe e zbulojnë rastësisht, shpesh vetëm në moshë të rritur.

Personat me aphantasia nuk janë në gjendje të përfytyrojnë fytyrën e një të dashuri, të imagjinojnë një perëndim dielli apo të vizualizojnë një objekt me sytë mbyllur – diçka që shumica e njerëzve supozojnë se është universale.

Pasi nuk ndikon në inteligjencë, gjuhë apo funksionimin e përditshëm, aphantasia mbetet kryesisht e padukshme. Shumë njerëz e kuptojnë se e kanë vetëm kur zbulojnë se të tjerët përjetojnë imazhe mendore të gjalla, gjë që ata vetë nuk e përjetojnë.

Tani, studiues australianë thonë se kanë zhvilluar testin e parë biologjik objektiv për identifikimin e kësaj gjendjeje.

Shkencëtarët e Universitetit të New South Wales zbuluan se aphantasia mund të identifikohet duke monitoruar reagimin e bebëzës së syrit – mënyrën se si bebëzat zmadhohen dhe ngushtohen në përgjigje të dritës. Gjetjet u publikuan në vitin 2022 në revistën shkencore eLife.

Studiuesit monitoruan madhësinë e bebëzave te pjesëmarrës me dhe pa aphantasia, ndërsa atyre u shfaqeshin forma të ndritshme dhe të errëta mbi një sfond gri.

Të dy grupet – 42 persona pa aphantasia dhe 18 që raportuan se e kishin këtë gjendje – shfaqën reagim normal të bebëzës gjatë shikimit real të imazheve, duke dëshmuar se sytë dhe rrugët vizuale funksiononin normalisht.

Por kur pjesëmarrësit u kërkua të imagjinonin të njëjtat forma të ndritshme dhe të errëta në mendjen e tyre, u shfaq një ndryshim i qartë.

Personat pa aphantasia treguan reagimin e pritshëm të bebëzës, e cila ndryshonte madhësi në varësi të faktit nëse po imagjinonin objekte të ndritshme apo të errëta.

Në të kundërt, bebëzat e personave me aphantasia nuk ndryshuan fare gjatë përpjekjes për të vizualizuar imazhet.

“Rezultatet tona tregojnë një metodë të re, objektive dhe shumë premtuese për matjen e imazherisë mendore, si dhe provën e parë fiziologjike të aphantasias,” tha autori kryesor i studimit, neuroshkencëtari Dr. Joel Pearson, në një publikim të universitetit.

Ai e përshkroi këtë si testin e parë të këtij lloji për këtë gjendje.

“Kjo është vërtet prova e parë biologjike dhe objektive për gjallërinë e imazheve mendore,” shtoi ai.

Zbulimi është i rëndësishëm edhe sepse rrëzon idenë se personat me aphantasia thjesht “nuk po përpiqen” të imagjinojnë.

Edhe pse bebëzat e tyre nuk reaguan ndaj ndriçimit apo errësirës së imazheve të imagjinuara, ato u zgjeruan kur pjesëmarrësve iu kërkua të imagjinonin katër objekte njëkohësisht, në vend të njërit – një shenjë e rritjes së përpjekjes mendore.

“Bebëzat tona dihet se zmadhohen kur kryejmë një detyrë më të vështirë,” shpjegoi Lachlan Kay, doktorant në Future Minds Lab të universitetit.

“Të imagjinosh katër objekte njëkohësisht është më e vështirë sesa vetëm një.

Bebëzat e personave me aphantasia u zgjeruan kur ata imagjinonin katër forma krahasuar me një, por nuk ndryshuan sipas faktit nëse format ishin të ndritshme apo të errëta.

Kjo tregon se pjesëmarrësit me aphantasia po përpiqeshin vërtet të imagjinonin, por jo në një mënyrë vizuale.”

Profesori Pearson e quajti këtë gjetje “shumë emocionuese”, duke theksuar se për herë të parë studiuesit kanë treguar se personat me aphantasia angazhohen aktivisht në imazheri mendore.

Sipas tij, kjo “i hedh poshtë përfundimisht pretendimet se ata thjesht nuk po përpiqen të krijojnë imazhe mendore”.

Sipas Shoqatës Britanike të Psikologjisë, rreth 2–5 për qind e popullsisë – ose miliona njerëz në mbarë botën – kanë aphantasia.

Në vend që të mendojnë nëpërmjet imazheve, personat me këtë gjendje priren ta përpunojnë informacionin përmes fakteve, koncepteve dhe njohurive abstrakte, sipas Aphantasia Network, një komunitet global online për personat e prekur.

Termi vjen nga Greqia e lashtë, ku filozofi Aristotel e përshkroi “phantasia”-n si aftësinë e mendjes për të krijuar imazhe.

Aphantasia nuk shfaqet në një formë të vetme. Disa njerëz lindin me të – e njohur si aphantasia kongjenitale – ndërsa të tjerë e fitojnë më vonë në jetë si pasojë e dëmtimeve të trurit, traumave apo sëmundjeve.

Gjendja mund të jetë e plotë ose e pjesshme: disa njerëz nuk përjetojnë fare imazhe mendore, ndërsa të tjerë raportojnë pamje të zbehta, të copëzuara ose kalimtare.

Edhe pse aphantasia vizuale është forma më e përhapur, studiuesit thonë se ajo mund të ndikojë edhe në aftësinë për të imagjinuar tinguj, prekje, aroma, shije dhe lëvizje.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *