Hën. Jan 12th, 2026

Nis sot gjysmëvjetori i dytë në shkolla, me përjashtim të disa komunave

Si pasojë e motit të pafavorshëm, reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, disa komuna të Kosovës kanë vendosur të shtyjnë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026.

Vendime për vonimin e fillimit të mësimit kanë marrë komunat e Malishevës, Drenasit dhe Fushë Kosovës.

Në Malishevë, autoritetet komunale kanë njoftuar se mësimi do të rifillojë më 14 janar 2026, për shkak të vështirësive të krijuara nga reshjet dhe përmbytjet, të cilat kanë dëmtuar rrugët dhe kanë vështirësuar qarkullimin.

Edhe në Drenas, procesi mësimor është shtyrë deri të mërkurën, pasi kjo komunë po përballet me pasoja të mëdha nga moti i keq, përfshirë dëmtime në objektet shkollore dhe infrastrukturën rrugore.

Ndërkohë, Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat do të fillojë më 19 janar 2026.

Ndryshe nga këto komuna, në pjesën më të madhe të vendit mësimi do fillojë sot.

Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se të gjitha shkollat janë të hapura dhe se janë siguruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Nga ana tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrhaman Jasharaj, ka bërë thirrje që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet edhe për disa ditë në nivel vendi.

Ai tha se më mirë është që mësimi të shtyhet edhe për disa ditë, për shkak të temperaturave tejet të ulëta, dhe problemeve me ngrohjen në disa shkolla.

“Edhe unë besoj që drejtoritë arsimore bashkë edhe me drejtorët e shkollave do ta analizojnë mirë situatën dhe mësimi do të fillojë atëherë kur duhet. Ka informacione se temperaturat do të shkojnë në – shumë gradë dhe një pjesë e shkollave mund të ketë probleme shtesë me ngrohjen”, deklaroi Jasharaj në emisionin Info Magazine në Klan Kosova .

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *